Bayern Munchen duket i gatshëm të hidhet në veprim për të siguruar shërbimet e Paulo Dybala, nëse do ta humbisnin sulmuesin polak Robert Lewandowski gjatë merkatos së kësaj vere.
Sipas të përditshmes gjermane “Bild”, drejtuesit e ekipit nga “Allianz Arena” i frikësohen një largimi të mundshëm të polakut, veçanërisht pasi ky i fundit ndërroi agjent dhe tashmë interesat e tij mbrohen nga Pini Zahavi.
Real Madrid, Chelsea, Manchester United janë që të gjitha të interesuara për Lewandowskin. Por, nëse largimi i tij do të realizohej, atëherë Bayern do të bënte gjithçka për të kënaqur tifozët bavarezë duke afruar një lojtar të të njëjtit kalibër, si Dybala i Juventusit.
Sulmuesi argjentinas është një nga më të shquarit në Europë, teksa ka shënuar 21 gola në 30 ndeshje të Serie A këtë sezon. E një asist për gjigantët bavarezë vjen edhe nga fakti se, Juventusi e ka kthyer në normë shitjen e lojtarëve më të mirë në gjirin e tij, gjithnjë nëse vjen një ofertë e parefuzueshme.
Për këtë arsye, Bayern do të tentojë me një ofertë prej 100 milionë eurosh, një shifër rekord për ekipin nga Bundesliga, duke besuar se do të mjaftojë për t’i rrëmbyer lojtarin “Zonjës së vjetër”.
Për argjentinasin interesohet edhe Atletico Madrid, me finalistët e Europa League që kanë pranuar largimin e yllit të tyre, Antoine Griezmann, për te Barcelona sezonin e ardhshëm.
Top Channel