Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u përplas me analistin Andi Bushati këtë të enjte në emisionin “Të Paekspozuarit” në Top Channel.
Duke iu referuar raporteve të palës italiane, Bushati akuzoi Tahirin se gjatë drejtimit të Ministrisë së Brendshme kanabizoi vendin. Tahiri mohoi akuzën.
“Shqipëria ka qenë e mbushur me kanabis! Ju keni gënjyer, ose keni mbyllur sytë. Nuk flasim vetëm për Lazaratin, kështu ka qenë Kruja, Berati, Malësia e Madhe, Tirana po ashtu.Jam i hapur për ballafaqim shifrash me ty dhe këdo. Në katër vite që kam qenë unë ministër janë më pak se një vit i Sali Berishës”, deklaroi Tahiri.
Bushati iu referua edhe mediave ndërkombëtare dhe disa shkrime në to në lidhje me kultivimin e hashashit.
“Mediat italiane, gjermane e franceze kanë shkruar që në Shqipëri po bëhet nami me kultivimin e hashashit”, tha Bushati.
Tahiri e mohoi këtë.
“Në mediat e huaja e dimë të gjithë sesi blihen artikujt se janë artikuj me pagesë”, tha ai.
Sa u takon akuzave për ish-oficerin e Policisë, Dritan Zagani, Tahiri tha se po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në lidhje me deklaratat e tij.
Top Channel