Prokurori i posaçëm Robert Mueller ka paralajmëruar të lëshojë një fletëthirrje për Donald Trumpin, që do ta detyrojë presidentin amerikan të dalë përpara një jurie, si pjesë e hetimit mbi përfshirjen ruse në zgjedhjet amerikane.
Mueller, sipas medieve amerikane, e ka sugjeruar këtë lëvizje gjatë bisedimeve me avokatët e shefit të Shtëpisë së Bardhë në muajin mars.
Thirrja, sipas tij do ta detyronte presidentin të përballej me hetuesit. Kjo besohet të jetë hera e parë, që prokurori i posaçëm ngre mundësinë e detyrimit të Trumpit për të dëshmuar.
Gjatë takimit të marsit, avokatët e tij kishin këmbëngulur se presidenti nuk kishte asnjë detyrim të përballej me hetuesit federalë në hetimin e Rusisë. Këtë e pohon “Washington Post”, duke cituar burime pranë takimit.
Ekipi i Muellerit, megjithatë është përgjigjur duke ia bërë të qartë se thirrja do të lëshohet nëse Trumpi nuk pranon. Ata ranë dakord t’u japin avokatëve të presidentit informacione më specifike mbi pyetjet që dëshironin t’i drejtonin Trumpit.
Më herët, Trump e quajti “të turpshëm” faktin që lista e tyre ka rrjedhur në media. “New York Times” publikoi rreth 60 pyetje që iu dorëzuan avokatëve të zotit Trump, ku kërkohet të dihet rreth motiveve të presidentit për shkarkimin e drejtorit të FBI-së, James Comey, majin e kaluar, si dhe për kontaktet mes zyrtarëve të fushatës së tij me zyrtarë të lartë rusë.
“Nuk ka bashkëpunim të fshehtë me rusët, ky është një krim i sajuar dhe i paqenë. Është një hetim që fillon me rrjedhjen e paligjshme të një informacioni të klasifikuar”, shkruan presidenti në “Twitter”.
Top Channel