Edhe pse matematikisht ka ende shpresë që Napoli të jetë fituesi i Serie A, në kampin e të kaltërve duket se janë dorëzuar të gjithë pas humbjes 3-0 ndaj Fiorentinës.

E vetë Presidenti Aurelio De Laurentis po përgatit një revolucion te skuadra e Napolit, nisur nga ndërrimi i trajnerit e drejtorit sportiv, tek shitja e yjeve dhe afrimi i lojtarëve të tjerë me cilësi.

Koulibaly, Jorginho dhe Mertens janë në krye të listës për t’u larguar. Për qendërmbrojtësin ka interes nga Chelsea dhe pikërisht te blutë e Londrës napolitanët duan të marrin edhe zëvendësuesin e tij.

De Laurentiis synon të sjellë në Serinë A qendërmbrojtësin brazilian David Luiz, që po gjen pak hapësira në Angli, por problem për momentin mbetet paga e lartë e tij, rreth 7 milionë euro në sezon.

Gjithashtu, për Mertens nuk pritet të kërkohet zëvendësues, pasi do t’i besohet polakut Milik dhe Roberto Inglesses, që do të kthehet nga huazimi te Chievo.

Napolitanët janë në kërkim tashmë për të gjetur sulmues krahu, pasi edhe këtë sezon kuptuan se Insigne dhe Callejon nuk mund të mbajnë peshën e gjithë sezonit.

I pari që pritet t’i bashkohet Napolit, është anësori gjerman i Ajaxit, Amin Younes, ndërsa do të tentohet edhe njëherë blerja e Simone Verdit të Bolognës, që mund të luajë në të gjitha pozicionet e sulmit.

Me verën në prag, është më se e qartë që Napoli do të ndryshojë shumë, por largimi i titullarëve të rëndësishëm do të sjellë mjaftueshëm para, për të gjetur zëvendësues të një niveli gjithashtu të lartë dhe për të mbajtur skuadrën sërish në grupin e kreut të renditjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA