FIFA ka hedhur një hipotezë të re në qarkullim, mbi një kompeticion të ri në përmasa më të vogla, por që do të jetë i ngjashëm me Botërorin. Kjo do të thotë të tjera ndeshje, të tjerë sponsorë dhe më shumë të holla.
Duket se nuk ka mjaftuar rishikimi dhe riformatimi i kompeticioneve për klube, ndërsa 4 vitet e pritjes nga një Botëror te një tjetër, shihen si një periudhë tejet e gjatë.
Informacionet e fundit mbi këtë hipotezë janë raportuar nga e përditshmja franceze, “L’Equipe”, sipas së cilës FIFA po punon pikërisht mbi këtë ide të shkëlqyer për futbollin botëror.
Turneu i ri pritet të luhet çdo dy vite, duke nisur nga viti 2021. Ai do të jetë i ngjashëm me Ligën e Kombeve, që është krijuar së fundi nga UEFA, duke garuar kështu se kush prej tyre do të jetë më i rëndësishmi.
Presidenti i qeverisë së futbollit botëror, Gianni Infantino po mendon për një kompeticion midis 8 skuadrash, që mund të zhvillohet mes tetorit e nëntorit, 8 kombëtare që do të zgjidhen nga të gjitha kontinentet.
Për këtë risi duket se të gatshëm janë edhe një grup investitorësh, të cilët mund të derdhin plot 25 miliardë dollarë për të blerë të drejtat e turneut për 12 vitet e para, që nga nisja.
Top Channel