Vendosja e një trau pranë një hoteli ka qenë burimi i konfliktit të plagosjes mbrëmjen e të martës në Lezhë.
Policia ka vënë në pranga Dorosamento Gjeta, 26 vjeç, për armëmbajtje pa leje dhe plagosje të rëndë me dashje, pasi ka plagosur me armë zjarri A. D., 44 vjeç.
Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë, vëllai i të plagosurit A.D. 42 vjeç, për shkatërrim prone dhe B.B. 49 vjeç, për kanosje dhe dëmtime të tjera me dashje.
“Procedimi penal i tyre u bë pasi, nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se, pasditen e djeshme shtetasit e mësipërm janë konfliktuar për motive të dobëta, për vendosjen e një trau pranë një hoteli që bllokonte rrugën. Si rezultat i këtij konflikti , ka mbetur i plagosur në këmbë shtetasi A.D. 44 vjeç ( vëllai i shtetasit A.D. të proceduar) i cili ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën”, thotë policia e Lezhës.
Autori i dyshuar i plagosjes është Dorosamento Gjeta, i cili u arrestua në flagrancë. Hoteli është në pronësi të shokut të Gjetës, të cilit ky i fundit i doli në mbrojtje.
Top Channel