Roma ëndërron përmbysjen, Klopp: E pamundur, shkojmë në finale

02/05/2018 02:18

Pavarësisht humbjes 5-2 në ‘Anfield Road’, në Romë ëndërrojnë përmbysjen e madhe në gjysmëfinalen e kthimit ndaj Liverpoolit, që vlen një biletë për në Kiev, finalen e madhe të Champions League.

Pas Chelsea-it dhe Barcelona, verdhekuqtë e Di Francescos ëndërrojnë një tjetër fitore me shifrat 3-0 këtë herë ndaj The Reds, por Jurgen Klopp në konferencën për shtyp përpara kësaj sfide ka paralajmëruar Romën.

“Ne nuk jemi as Chelsea dhe as Barcelona, jemi Liverpooli. Jemi këtu për të arritur një objektiv të rëndësishëm dhe jam i sigurt që do ta realizojmë me sukses misionin tonë. Historia e Liverpoolit dhe Romës është fantastike, por ne nuk na ndihmon aspak fakti se gjyshërit tanë kanë fituar këtu. Përmbysjet janë të mundura në futboll por ne do të bëjmë lojën tonë për tu kualifikuar në fund dhe nuk besoj se Roma mund të na mposhtë 3-0 ose 4-0”, deklaroi Jurgen Klopp.

Mbrëmjen e të martës ishte Reali i Madridit që eliminoi Bayernin e Mynihut dhe siguroi finalen për herë të 3-të radhazi. Tani skuadra e Zidane pret të mësojë kundërshtarin me të cilin do të përballet më 26 Maj në kiev.

Top Channel