Në vitin 1989, NBC bëri një kronikë speciale për problemet racore në Amerikë, ku intervistuan edhe Donald Trump-in, që në atë kohë ishte në të dyzetat.

“Zezakët e arsimuar janë më të privilegjuar ndaj të bardhëve të arsimuar, për sa i përket tregut të punës. Zezakët mund të mendojnë se nuk kanë privilegje, por po ta nisja karrierën sot, unë do të doja të isha një zezak i arsimuar”, tha Trump.

Unë isha student në vit të dytë të universitetit në atë kohë, e po përpiqesha të bëhesha një nga ata “zezakët e arsimuar”, pa ditur që po ky person që po bënte sikur lëvdonte pozitën time në shoqëri, pak muaj më parë kishte botuar reklama nëpër gazetat e Nju Jorkut, reklama që zinin gjithë faqen, ku kërkonte dënim me vdekje për pesë të dyshuarit e Central Park-ut.

Sigurisht që Trump as vetë nuk e besonte komentin që tha, sidomos ngaqë fjalët “do të doja të isha zezak” i shoqëroi me një nënqeshje. Nuk ishte sinqeritet, por sarkazëm. Ishte mënyra e tij për të qartësuar qëndrimin e vet nëpërmjet përçmimit, jo sepse ishte xheloz. Ishte mënyrë për t’u ankuar me lavde të rreme ndaj idesë se mbizotërimi i të bardhëve në Amerikë po futej në një periudhë ku nuk kishin më çdo lloj privilegji pa përjashtim, edhe pse kishin shumicën dërrmuese të privilegjeve.

Trump po përpiqej të shprehte zemërimin dhe ankthin e meshkujve të bardhë, të përpunuar me lojëra fjalësh që e bëjnë të pranueshëm për televizion. Kjo ka qenë parathënia e një strategjie që i bëri punë disa dhjetëvjeçarë më vonë, kur kandidoi për president.

Aftësia e Trump-it për të mishëruar e për të përcjellë frikën që ndiejnë të bardhët për privilegjet që po humbin, është një nga arsyet se pse Trump është president sot.

Një studim i ri, i botuar këtë javë në “Procedimet e Akademisë Kombëtare të Shkencave”, vërteton atë që e kanë thënë dhe studime të tjera: “Mbështetja ndaj Trump-it motivohej edhe nga frika e të bardhëve se po humbitnin privilegjet”.

Siç e thotë studimi:

“Të bardhët e Amerikës po humbin  mbizotërimin në numër në SHBA, ndërkohë që statusi i Afro-Amerikanëve po rritet, siç rritet edhe pasiguria e amerikanëve në përgjithësi për sa i përket mbizotërimit botëror të Amerikës si superfuqi. Kjo shkakton një reagim mbrojtjeje nga anëtarët e grupeve mbizotëruese”.

Ky studim përputhet me një analizë rreth votuesve të Trump-it që janë të rinj në moshë, i cili u botua vjet në Uashington Post: “Ata që votonin për herë të parë dhe që votonin për Trump-in, besonin te ‘rreziqet që u kanosen të bardhëve’, perceptimi se të bardhët, jo për fajin e tyre, po humbin terren përkundrejt grupeve të tjera. Motivuesi kryesor i idesë së rreziqeve që u kanoseshin të bardhëve ishte përçmimi ndaj racave të tjera, pavarësisht  të ardhurave, nivelit të arsimit apo të punësimit të tyre.

Ideja që motivimi kryesor për votat ndaj Trump-it ishte pakënaqësia ekonomike, ishte narrativë e rremë, e ripërtypur nga mediat që kanë frikë ta quajnë për atë që është: përçmim racor.

Një analizë e vitit 2016, e botuar në “Washington Post” thoshte që nuk janë problemet ekonomike ato që shtojnë përçmimin racor, por përçmimi racor shton problemet ekonomike.

Kur pranohet kjo ide racionale, e pashpjegueshmja bëhet mjaft e lehtë për t’u shpjeguar.

Si mundën njerëzit të votojnë për një karakter aq jo serioz, dhe si vazhdojnë ta mbrojnë edhe pse e bën Amerikën të duket keq?

Është e thjeshtë. Trump përfaqëson fijet e fundit të kashtës ku kapen mbrojtësit e supremacisë së të bardhëve dhe të patriarkisë. Ai është një nga shpresat e mëdha që kanë.

Mesazhi i fushatës së tij ishte jo vetëm që duhej ndaluar hapi i shpejtë i ndryshimeve, por Amerika duhej të kthehej pas. Duhej zhbërë gjurma e Obamës dhe të rikthehej gjurma e bardhë. Ishte mesazh për ta shkëputur Amerikën nga ndikimet  globaliste dhe të lartësohej “bardhësia” e Amerikës.

Të mbështetje Donald Trump-in do të thoshte të ishe pro të shkuarës amerikane dhe kundër të ardhmes amerikane. Të gjitha këto ide janë të përlyera me përçmimin racor.

E kuptoj frikën e madhe për t’i akuzuar individët se janë racistë, ngaqë nënkupton se karakteri i tyre mbizotërohet nga një armiqësi e drejtpërdrejtë dhe e vetëdijshme ndaj racave të tjera. Por ky ekstremizëm mendimesh është një mënyrë për të shprehur racizëm. Ka dhe mënyra të tjera, të cilat nuk janë larg kësaj karikature.

Çfarë quhet një person që nuk shkon haptazi deri te kulmi i urrejtjes racore, por që ushqen një përçmim të thellë racor përbrenda?

Çfarë e quani një person që nuk e mbështet racizmin ditën me diell, por përfiton prej tij në mënyrë të vetëdijshme?

Çfarë e quani një person që mbështet shtimin e barazisë mes racave në teori, por në praktikë është kundër ndryshimit të gjendjes në të cilat racat janë sot?

Çfarë i quani njerëzit që bashkëveprojnë, në mënyrë të ndërgjegjshme apo jo, për të mbrojtur mbizotërimin e një race?

Çfarë i quani ata njerëz, mes mbështetësve të Trump-it, të cilët quhen si “elemente të diskriminimeve racore” nga studimet, pavarësisht nëse ata e pranojnë këtë apo jo?

Trump s’ka dashur kurrë të jetë zezak. Ai thjesht po shprehte përçmimin e bardhë kundër kujtdo që përpiqet të ulë privilegjet që historikisht kanë qenë diçka që u përkiste të bardhëve. Trump-i që nënqeshte në ato vite është votuesi i Trump-it në të tashmen.

Charles M. Blow, NY Times

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA