Të dorëzuar tanimë për titullin kampion në Serie A, te Napoli është hapur kantieri për sezonin e ardhshëm. Synimi kryesor është rinovimi me trajneri Maurizio Sarri, por edhe ‘blindimi’ i disa prej futbollistëve kryesorë të skuadrës, shumë të kërkuar nga klubet kryesore evropiane.
Trajneri i skuadrës napoletane ende nuk ka dhënë shenja rinovimi, ndërsa emri i tij lakohet gjithnjë e më shumë për një transferim drejt Londrës, ku te Chelsea do ta mbulonin me ar. Dhe në rast se Sarri bindet nga oferta londineze, në horizont në pankinën e ‘të kaltërve’ është një emër i njohur: Rafa Benitez, pjesë e Napolit në sezonin 2013-2015. Mediat britanike kanë zbuluar se spanjolli është në listën e të preferuarve të presidentit De Laurentis.
‘The Sun’ ndërkohë shkon më tej, duke ravijëzuar edhe një skenar merkato. Me Benitez mund të fluturojë drejt Napolit edhe David Luiz, që te Chelsea nuk po gjen shumë hapësira me skemat e trajnerit Conte. Në fakt, David Luiz mendohet të përdoret si kompesim për një mësymje të londinezëve për mbrojtësin senegalez Kolibaly.
Por edhe transferimi i brazilianit ka problemet e veta, të cilat lidhen me anën finaciare. David Luiz përfiton një pagë prej 7 milionë eurosh në sezon te Chelsea dhe Napoli nuk është në gjendje t’ja paguajë, ndësa mund të arrihet një marrëveshje që futbollisti të fimosë për 4 sezone, duke zvogëluar pagën.
Top Channel