“Nuk e shkrova unë letrën e vitit 2015, ku gjendja shëndetësore e Donald Trumpit, asokohe kandidat republikan për president, përshkruhej si ‘e shkëlqyer’”.
Ish-mjeku personal i shefit të Shtëpisë së Bardhë është vënë në fokusin e medies botërore, me pretendimin se ishte vet miliarderi, ai që e diktoi letrën në fjalë.
Në një intervistë televizive, Harold Bornstein këmbënguli të tregonte se përshkrimi i Trumpit si personi më i shëndetshëm i zgjedhur ndonjëherë në krye të administratës amerikane nuk ishte vlerësimi i tij profesional.
“Zoti Trump e diktoi letrën. Unë thjesht e pranova. Pretendova se kishte humbur 7 kg gjatë vitit të mëparshëm dhe e përshkrova gjendjen e tij kardiovaskulare si të shkëlqyer”, tha Harold Bornstein, ish-mjek personal i Donald Trumpit.
Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë asnjë koment mbi këto pohime, të cilat mjeku i shoqëron edhe me informacionin se, shkurtin e vitit 2017, truprojat e Trumpit i kishin bastisur zyrën e kishin marrë prej andej të gjitha të dhënat mjekësore të presidentit.
Nuk është e qartë përse Bornstein vendosi të flasë tani për këtë çështje. Që disa javë përpara se raporti mjekësor të bëhej publik, Trump pati shkruar në “Twitter” se ai do të tregonte një gjendje perfekte, duke shtuar se ndihet me fat që është bekuar nga gjene kaq të mira.
Top Channel