“Hieronymi-Arbëreshi i Italisë”, dokumentar për De Radën nga gazetarja Beti Njuma

02/05/2018 15:23

Një dokumentar që shpërfaq jo vetëm aspektin letrar të veprës së shkrimtarit të madh arbëresh Jeronim De Rada, por edhe jetën e tij. “’Hieronymi-Arbereshi i Italise”, me autore gazetaren Beti Njuma, u shfaq këtë të mërkurë në Muzeun Historik Kombetar.

“De Rada është një figurë e jashtëzakonshme e letrave shqipe. Me të nis letërsia moderne shqipe. Ai pati meritën se qe autori i parë që e ndërkombëtarizoi letërsinë tonë. Deri përpara De Radës letërsia shqipe ishte një letërsi filo-biblike, ndërsa me De Radën, i cili pati meritën që jo vetëm modernizoi letrat shqipe, por ai solli risi në publicistikë, në mendimin filozofik dhe ajo që është më e rëndësishmja: De Rada e krijoi Shqipërinë, atëherë kur Shqipëria nuk ekzistonte”, rrëfen Beti Njuma.

Për rikrijimin e botës së arbëreshit, Beti Njuma udhëtoi 2 herë drejt Maqit, fshatit ku për shekuj me radhë u mbajtën gjallë doket, zakonet, veshjet dhe gjuha arbëreshe, aty ku De Rada lindi, u rrit dhe shkroi veprat e tij.

“Realizimi i një dokumentari për një figurë të letrave shqipe siç është Jeronim De Rada, është një ngjarje për qytetin, një ngjarje për komunitetin e artistëve dhe shkrimtarëve. Çdo dokumentar, i cili nxjerr në pah figura të tilla, është i vlefshëm, pasi nxjerr në pah jo vetëm kontributin e De Radës, por edhe ndërton në njëfarë mënyre edhe njohjen që duhet të kemi ne mbi ata personazhe që ndërtuan historinë tonë letrare”, thotë Alda Bardhyli, studiuesve.

Top Channel