“Giro d’Italia” nis nga Jeruzalemi, në sprint do të jetë edhe Eugert Zhupa

02/05/2018 19:15

Një nga turnetë më prestigjiozë të çiklizmit në botë, “Giro d’Italia” do të nisë nga qyteti i shenjtë i Jeruzalemit këtë të premte.

Nga fillimi në Izrael e deri në metrat e fundit, edicioni i 101-të do të rezervojë etapa impenjuese për çiklistët në garë, mes të cilëve është edhe shqiptari Eugert Zhupa.

I vetmi me një përgatitje për t’u admiruar dhe i kthyer në garanci për lojën ekipore, sportisti kuqezi numëron herën e katërt të pjesëmarrjes në “Xhiron e Italisë” në karrierë, e do të jetë mes protagonistëve, prej të cilëve priten më shumë pikë te skuadra e tij “Wilier Triestina”.

Eugert Zhupa ka arritur gjithnjë ta përfundojë këtë turne, duke i mbyllur të 21 etapat. Suksesi në të paktën një etapë mbetet objektivi i tij kryesor për këtë edicion.

21 ndalesa, nga 4 maji deri më 27 maj, po cilësohen si vërtet sfilitëse për çiklistët në garë. Tri etapat e para do të zhvillohen në Izrael, ndërsa ka dy favoritë të mëdhenj për fitoren përfundimtare, Chris Froome dhe Tom Dumoulin.

Kronometri i startit do të jetë në 9.7 kilometra, në rrugët e Jeruzalemit, dhe etapa pasardhëse do të çojë karvanin e çiklistëve nga Haifa e deri në Tel Aviv. Në ditët e para nuk pritet të ketë zhvillime të bujshme për renditjen, pasi ajo do të ravijëzohet kur skuadrat të zbarkojnë në Itali.

Në total do të jenë më shumë se 3.500 kilometra garë, për 176 pjesëmarrësit në këtë xhiro çiklistike.

Top Channel