Arkivistët e Shqipërisë dhe Kosovës, bashkë në Prishtinë më 9 qershor

02/05/2018 14:56

Konferenca e Dytë Mbarëkombëtare e Arkivistikës do të zhvillohet më 9 qershor në Prishinë, një bashkëpunim ky i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave me homologen kosovare.

“Qëllimi i kësaj konference është të mbledhë bashkë arkivistët e Shqipërisë dhe të Kosovës, arkivistët shqiptarë të viseve jashtë Shqipërisë, por që veprojnë ndër shqiptarë, nga Maqedonia dhe Mali i Zi, si dhe të tjerë arkivistë që punojnë apo studiojnë në fushë të arkivistikës. Temat që propozohen për diskutim lidhen specifikisht me arkivistikën, por edhe me historinë e arkivave apo institucioneve arkivore në zonat shqipfolëse”, bëri të ditur zëdhënësja e DPA-së, Elsa Saka.

Veç arkivistëve të rrjeteve arkivore kombëtare, ftesa për pjesëmarrje u drejtohet të gjithë profileve të tjerë të arkivistëve, institucioneve që ruajnë apo atyre që ndërveprojnë me ruajtjen e kujtesës kolektive.

Viti Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu është një shans i artë për të gjithë arkivistët dhe historianët për të përafruar praktikat profesionale në viset kombëtare. DPA u bën thirrje të gjithë studiuesve të bashkohen në këtë përpjekje për të trajtuar historinë kombëtare njëjtrajtshmërisht pavarësisht kufijve politikë.

Top Channel