Pas 8 vitesh në Azerbajxhan dhe 5 tituj kampionë të fituar, të cilave u shtohen edhe 3 Kupa, Ansi Agolli ka shkruar emrin me ‘gërma të arta’ në historinë e klubit nga Agdami, duke qenë një prej protagonistëve të padiskutueshëm të sukseseve.

Mbrojtësi dha kontribut të jashtëzakonshëm edhe gjatë këtij sezoni në triumfin në Premier ligën azere, duke mbetur një titullar i padiskutueshëm. Por, me titullin në kasafortë, kur kanë mbetur edhe tre javët e fundit përpara mbylljes së sezonit, dilemat për të ardhmen e Agollit janë rritur.

Tashmë në moshën 35-vjeçare dhe me kontratën që përfundon në muajin qershor, interesimi për rrugën që do të ndjekë ish-kapiteni i Kombëtares është i madh. Megjithatë, lojtari i ka idetë e qarta dhe ashtu siç ndodh në fushë me harkimet perfekte nga e majta, ia kalon topin trajnerit Gurban Gurbanov.

Për mediat azere, Agolli konfirmoi edhe një herë se “ëndërron që të qëndrojë te Qarabag-u” për të dhënë kontributin e tij drejt të tjerave sukseseve kombëtare dhe ndërkombëtare. “Megjithatë, çdo gjë do të varet nga vendimi i trajnerit”, tha mbrojtësi, që pret të mësojë projektin e klubit për të ardhmen.

Situata është relativisht e sikletshme për teknikun Gurbanov, që paralelisht me Qarabagun drejton edhe përfaqësuesen azere. Në njërën anë trajneri duhet të mendojë për rinovimin e krahut të majtë të ekipit, por gjithashtu nuk mund të heqë dorë lehtë nga Agolli, të cilin pavarësisht moshës e ka aktivizuar gjithmonë titullar dhe e ka pasur një prej shtyllave kryesore të ekipit në dy vitet e fundit.

Top Channel