Bateritë me litium që ne përdorim çdo ditë tek celularët, laptopët apo makinat elektrike kanë të domosdoshëm një mineral që nxirret me mundime të jashtëzakonshme. Bëhet fjalë për kobaltin, arin e Republikës Demokratike të Kongos, që plotëson 2/3 e nevojës globale.

Çmimi i kobaltit është katërfishuar dy vitet e fundit, kryesisht për shkak të teknologjisë që ka nevojë për të, në veçanti sektori i makinave elektrike. 20% e sasisë së kobaltit që vjen nga Republika Demokratike e Kongos nxirret me dorë, nga të rritur dhe fëmijë që punojnë pa asnjë kusht sigurie në miniera artizanale që shpesh gjenden në oborret e shtëpive të tyre, madje edhe të hapura në dyshemetë e dhomave.

Ky fenomen ka krijuar një dilemë të madhe etike për kompanitë ndërkombëtare që kanë nevojë për kobaltin për produktet e tyre. Kompani si Apple, Tesla e të tjera thonë se marrin kobalt vetëm nga miniera të autorizuara, por e pranojnë se nuk mund të jenë kurrë të sigurta për burimin, për shkak të natyrës komplekse të produktit.

Burimet natyrore të Kongos kanë sjellë dekada lufte brenda vendit mes qeverisë, milicive dhe grupeve të ndryshme kriminale, që luftojnë për copën e tyre të tortës dhe kostot bien drejtpërdrejtë mbi civilët. Këta të fundit punojnë nga 12 deri në 14 orë në ditë në miniera në kushte të tmerrshme, për të fituar 6 apo 7 dollarë nga kobalti që nxjerrin.

Ekspertët thonë se vërtetë makinat elektrike janë të mira për ambientin, por nëse kostoja e një ambienti të pastër është puna e fëmijëve në miniera, mbase nuk e meritojmë atë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA