Interi nuk kërkon të shesë Mauro Icardin dhe të paktën në publik, as ky i fundit nuk kërkon largimin. Por rrethanat dhe bilancet në fund të këtij sezoni mund ta largojnë argjentinasin nga Milano.

E ardhmja e kapitenit zikaltër duket se është e lidhur ngushtë me pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Nëse Interi arrin që t’i rrëmbejë vendin njërës me Lacios dhe Romës për t’u kualifikuar në këtë kompeticion në arkat e klubit do të përfundonin menjëherë 40 milionë euro dhe sakrifica që duhet të bëhej për të përmbushur kërkesat e Fair Play-t financiar do të ishin më të vogla.

Në të kundërt, sakrifica dhe drejtuesit, për hir të shifrave do të linin mënjanë edhe premtimet e deklaratat e besnikërisë dhe dashurisë të shprehura mes Icardit dhe Interit.

Bëhet fjalë për një shifër që do të kalonte 110 milionë eurot, të paktën sa është klauzola aktuale, një shifër e përballueshme nga një grusht skuadrash në Europë.

Por, ai që po fërkon më shumë duart dhe që do të përfitonte nga mungesa e Interit në Ligën e Kampionëve duket se është Reali i Madridit. “Los Blancos” po kërkojnë një sulmues “rrace” dhe argjentinasi është emri i duhur dhe një investim i sigurtë, duke patur parasysh që alternativa tjetër është Robert Lewandowski i Bayern Munchen, i vlerësuar 100 mln euro.

Top Channel