Vetëm para dy ditësh, lideri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Irani nuk e ka respektuar paktin me SHBA-të për kufizimin e kërkimeve bërthamore.
Nëpërmjet disa dokumenteve, kryeministri i Izraelit u përpoq të tregojë se siIrani vijon punën për të çuar përpara projektin për prodhimin e armëve bërthamore, pavarësisht marrëveshjes që kishte me faktorin ndërkombëtar.
Menjëherë më pas ishin fillimisht Presidenti Trump dhe më pas Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, që mbështetën denoncimin e Izraelit, duke thënë se janë edhe më të bindur për t’i dhënë fund marrëveshjes me Iranin.
“Dokumentet tregojnë se Irani ka gënjyer agjencinë e OKB-së për energjinë bërthamore dhe 6 vendet që negociuan marrëveshjen për reduktimin e aktivitetit të pasurimit të uraniumit”, ka thënë Pompeo.
Gjithsesi, duket se aleati më i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe nuk është në një linjë me amerikanët, sa i përket ‘zbulimit’ izraelit.
Zyra e shtypit e kryeministres Theresa May, tha se Britania e Madhe vijon të jetë në favor të zgjatjes së marrëveshjes së vitit 2015 me Iranin.
Edhe ministri i Jashtëm, Boris Johnson ka nënvizuar se dyshimet e ngritura nga Izraeli vënë në dukje rëndësinë për të mbajtur në fuqi kufizimet që Iranit i imponohen nga marrëveshja për ambiciet e tij bërthamore.
Top Channel