Është mbyllur në barazim 2-2 ndeshja e dytë gjysmëfinale e Champions League mes Real Madrid dhe Bayern Munchen, duke bërë që madrilenët të jenë finalistët e parë të kompeticionit më të rëndësishëm për klube.

Bavarezët kaluan shumë shpejt në avantazh me Kimmich. Që në minutën e tretë, mbrojtësi i djathtë shënoi në portën e Keylor Navas, ashtu siç bëri edhe në përballjen e parë mes këtyre dy skuadrave.

Por, pas 8 minutash ishte Benzema ai që barazoi me kokë, pas një krosimi të Marcelos.

Pjesa e parë e ndeshjes Real Madrid-Bayern përfundoi me polemika. Kimmich, autori i golit të bavarezëve, krosoi nga e djathta dhe topi u përplas në dorën e Marcelos, i cili e kishte të shkëputur nga trupi. Futbollistët bavarezë kërkuan penallti, por arbitri turk Cuneyt Cakir la lojën të vazhdonte.

Sapo filloi pjesa e dytë, Ulreich bëri një gabim të pafalshëm pas një kthimi të topit pas, duke u rrëzuar e duke i lënë portën bosh francezit Benzema, i cili shënoi golin e dytë.

Barazimi erdhi nga një ish i Realit, James Rodriguez, i cili i kërkoi falje publikut pasi shënoi me të djathtën.

Ndeshja e parë mes Real dhe Bayern kishte përfunduar me fitoren 2-1 të madrilenëve.

FOTO GALERI
4/26

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA