Përfundoi pa fitues përballja direkte për ngjitjen në Serinë A, mes Palermos dhe Barit, që u mbyll me rezultatin 1-1.

Në Siçili, gjithçka u zhvillua në pjesën e dytë, kur Palermo kaloi në avantazh në minutën e 80’ me La Gumina, ndërsa vetëm 5 minuta më pas, Marrone la Barin me 10 lojtarë, pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Gjithsesi, atëherë kur nuk pritej, miqtë arritën të gjejnë golin e barazimit, me anë të brazilianit Nene, që shënoi në minutën e 89’.

Mesfushori i kombëtares shqiptare, Migjen Basha ishte titullar në këtë takim, teksa mbajti si zakonisht edhe shiritin e kapitenit, ndërsa zhvilloi një paraqitje mjaft të mirë, veçanërisht në fazën mbrojtëse.

Pas kësaj jave, pozitat e skuadrës në renditje mbeten të pandryshuara, me Palermon në vendin e dytë dhe Barin në të 5-tin, teksa mbeten ende edhe 3 javë për t’u luajtur.

Top Channel