Napoli shfryn ndaj Juves: Fitoret me forcat tona, një thesar!

30/04/2018 22:51

“Një humbje duhet pranuar me nder, për sa kohë që mposhtesh pasi ke vendosur zemrën në fushë dhe ke dalë me kokën lart prej saj”.

Ky është mesazhi i Napolit në “Instagram”, bashkëngjitur një letre që shigjeton ashpër Juventusin, veçanërisht kur thuhet “të jesh i kaltër do të thotë të fitosh duke u mbështetur vetëm te forcat e tua…” dhe “kush ka veshë për të dëgjuar, dëgjon”.

Fjalët e Napolit duket qartë se nuk janë ungjillore, por jo pak vetë do të mbeten të lënduar: duke nisur nga tifozët e zhgënjyer, e deri tek ata që kanë dirigjuar disa vendime arbitrare gjatë ndeshjes Inter-Juventus, pikërisht të gjithë ata futbollistë që dalin nga fusha duke qarë (si Icardi në “San Siro”), ose e thënë më thjeshtë, deri te lojtarët e Sarrit, që pas humbjes në “Artemio Franchi” e shohin thuajse të paarritshëm titullin kampion.

“Dje, pas ndeshjes i telefonova djalit tim. Ishte shumë i trishtuar. I thashë se nuk duhej të ishte, por ai më tha se irritimi shkon përtej trishtimit. Iu përgjigja duke i thënë se humbja duhet pranuar me krenari, kur mposhtesh me kokën lart dhe me zemrën të lënë në fushë. Të jesh i kaltër do të thotë të fitosh duke u bazuar vetëm në forcat e tua. Fitoret tona vlejnë një thesar, pasi janë lumturia e tifozëve napolitanë, që anembanë botës vuajnë e gëzojnë për skuadrën e tyre, e mund ta thonë me krenari ‘Forca Napoli, përgjithmonë’. Por me të vërtetë përgjithmonë”.

Top Channel