Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka dhënë verdiktin e saj sa i përket kushtetutshmërisë së demarkacionin me Malin e Zi, kërkesë e bërë nga Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me shqyrtimin e miratimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës.
Në vendim thuhet se, kjo marrëveshje nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pra duke u bazuar në kërkesën që e ka bërë Glauk Konjufca dhe 11 deputetët e tjerë, Gjykata Kushtetuese, ka gjetur se kjo marrëveshje nuk është në kundërshtim me Kushtetutës e Republikës së Kosovës.
Deputetët e lëvizjes Vetëvendosje, që ishin kundërshtarët kryesor të marrëveshjes, dorëzuan më 29 mars në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për shqyrtimin e marrëveshjes së shënimit të kufirit me Malin e Zi. Sipas tyre shkelja më e rëndë është shkelja e sovranitetit dhe tërësisë tokësore territorial të Kosovës.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se “gjykata konstatoi njëzëri se Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes dhe procedura për miratimin e tij nuk ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Gjykata gjithashtu njëzëri refuzoi kërkesën e parashtruesve për të vlerësuar Marrëveshjen Ndërkombëtare për Demarkacionin e Kufirit Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi pasi që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe kësisoj jashtë fushëveprimit të juridiksionit të Gjykatës”,thuhet në njoftimin e gjykatës Kushtetuese.
Ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi u miratua me 21 mars. Seanca e ratifikimit qe ndërprerë katër herë me radhë pasi që deputetët e lëvizjes Vetëvendosje hodhën gaz lotsjellës për të penguar ratifikimin e marrëveshjes. Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, kishte ndarë skenën politike në vend për gati tre vjet.
Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje pritet t’i hap rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës ndërsa ishte edhe një nga kushtet që Kosova duhet përmbushë drejt rrugës së saj drejt integrimeve evropiane.
Top Channel