Grabitësit e bankave, dosja shkon për gjykim në Krimet e Rënda

30/04/2018 13:01

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka çuar për gjykim dosjen e grabitësve të bankave, ku në hetim janë nëntë persona.

Në krye të bandës është ish-komandoja Admir Nikaj (Murataj) i cili do të përballet me tre akuza atë të vjedhjes së bankave më shumë se një herë, armëmbajtje pa leje në formën e grupit të strukturuar, krijimin dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.

Të tjerë janë Dash Kupa, Ernes Kupa, Neim Avdulaj, D. M., A. Ç, Fatjon Xhyliu, Dritan Sinani dhe Aleksandër Murataj.

Vjedhja e parë ka ndodhur në 3 dhjetor të 2015 në aksin rrugor Qafë Kashar-Rinas, në afësi të kryqëziomi të fshatrave Bërxullë-Domje, ku u vodhën paratë e një banke të nivelit të dytë në vend. Mekanizmi ishte i njëjtë, ai i prerjes së rrugës mjeteve shoqëruese të parave dhe sipas punonjësve të bankës u vodhën 1.8 milionë paund, 800 mijë dollarë, 200 mijë dollarë australian dhe 200 mijë dollarë kanadezë.

Rasti i dytë i vjedhjes do të ndodhte më 9 shkurt 2017, ku një tjetër bankë ra pre e grabitjes së grupit të strukturuar kriminal. Nga kasaforta mundën të marrin 8 thasë me para, ku rezulton se kanë qenë 2.4 milionë euro, 200 mijë dollarë dhe 260 mijë paund britanik.

Vjedhja e tretë do të ndodhte vetëm 4 ditë më pas, në vendin e quajtur ish Stacioni i Trenit, ku nën kërcënimin e armës u vodhën 900 mijë franga zvicerane, 800 mijë paund britanik, 16.100 euro.

Top Channel