FSHF “predikon” qetësi në këtë fundsezoni të Superiores

30/04/2018 19:37

Lufta për pjesëmarrjen në kupat e Europës dhe llogaritë e skuadrave të rrezikuara për qëndrimin në Kategorinë Superiore e kanë shtuar presionin te protagonistët e futbollit shqiptar, aq sa të nxisin edhe FSHF-në të predikojë qetësi.

Me fokus të qartë shpërthimin e fundit nga Partizani, dhe akuzat e “Demave të kuq” kundër arbitrave, FSHF-ja bëri thirrje për gjakftohtësi në pjesën e mbetur të sezonit.

“Federata Shqiptare e Futbollit shpreh keqardhjen e saj për gjuhën vulgare të përdorur dhe krejtësisht të pajishme. Dështimet e sezonit të një skuadre, apo një tjetre, nuk mund t’i faturohen kurrsesi FSHF-së. Shpesh aludohet dhe prodhohet alibia se FSHF-ja dirigjon pengimin e Partizanit në arritjen e objektivave të tij. Por, këto janë thjesht paragjykime emotive në këtë pjesë të fundit të sezonit. Ky është një moment që kërkon më shumë gjakftohtësi dhe përqëndrim në realizimin e objektivave përfundimtarë të të gjithë aktorëve të garës”, thuhet në reagimin e FSHF-së.

Partizani akuzoi arbitrat si “kamikazë”, pas barazimit të fundit me Lushnjen, madje sipas ekipit kryeqytetas, vendimet tendencioze kanë ndikuar jo pak në rezultate. Për këtë, Partizani do të ndjekë rrugën ligjore të denoncimit.

Top Channel