Dy tonë drogë dhe një kallashnikov, në pranga 4 shqiptarë në Adriatik

30/04/2018 13:32

Ujërat e Adriatikut konfirmohen sërish si rrugë e rëndësishme e trafiqeve të paligjshme mes Shqipërisë dhe Italisë.

Pas një operacioni të “Guardia di Finanza”-s në Otranto, në ujërat ndërkombëtare pranë Salentos u sekuestruan dy tonë hashash, e në mjetin lundrues që transportonte drogën u gjet edhe një armë e tipit kallashnikov.

Katër persona kanë përfunduar në pranga, që të gjithë shtetas shqiptarë. Ndjekja e tyre zgjati për disa minuta, përpara se forcat italiane të arrinin t’i ndalonin.

Vetëm një muaj më parë, po në zonën e Salentos u kap një gomone me gjysmëtoni marijuanë të nisur nga Shqipëria. Në pranga përfunduan dy skafistët shqiptarë.

Nëse do të ishte shitur në tregun e zi, lënda narkotike, sipas përllogaritjeve të bëra atëherë do t’iu kishte sjellë trafikantëve fitime prej gati 5 milionë eurosh.

Top Channel