Sfidat e mbijetesës, triumfon Vllaznia. Teuta e bën dramë me Kamzën

29/04/2018 17:57

Katër skuadrat më të rrezikuara që do të nxjerrin atë që do të zbresë bashkë me Lushnjen nga kategoria Superiore, u përballën në sfida direkte që nuk zbuluan shumë mbi një nga enigmat më të mëdha sezonale. Teuta dhe Kamza i dhanë jetë ndeshjes më emocionuese të javës me barazimin, ndalesë e cila komplikon planet e durrsakëve për qëndrimin.

Latifi i dha epërsinë vendasve, ndërsa krijoi dhe asistin për golin e dytë të Teutës duke dhënë përshtypjen e një fitoreje komode. Por Sebino Plaku ngushtoi distancën me një gol të bukur para pushimit. Në një luftë të bukur sportive, por Fair Play, Kamza arriti të barazonte me kokë me Çukoviç, por hapësirat në mbrojtjen e vendasve, e bënë fundin dramatik. Fili tundi për herë të tretë rrjetën e Teutës duke përmbysur gjithçka. Por Teuta arriti të barazonte duke i shtuar forcave sulmuese edhe portierin Moçka, që dha topin për barazimin e Latif.

Vllaznia fitoi 1-0 ndaj Lacit por mbetet ende në pozita kritike në renditjen e Superiores. Formacioni shkodran u imponua minimalisht ndaj kurbinasve me një penallti të hershme që në minutën e 7 nga Sukaj. Por për të certifikuar shpëtimin do të duhen javët finale, pasi Vllaznia është vetëm 2 pikë më shumë se Teuta që përfaqëson zonën e ftohtë të rënies.

Top Channel