Patriarku mik i Putinit! Kush është drejtuesi i kishës ruse

28/04/2018 18:39

Vladimir Mikhailovich Gundyayev është emri laik i Kirilit, patriarkut të Moskës dhe të gjithë Rusisë, një figurë mjaft e njohur jo vetëm brenda Rusisë dhe e lakuar shpesh nga mediat për kontradikat që ai ka krijuar.

Kirili lindi në nëntor 1946 në një familje fetare dhe në të njëzetat u angazhua në jetën e kishës duke ngjitur shkallët e hierarkisë së saj, por vetëm pas viteve ‘90 do të ngrihej fama e tij.

Para se të bëhej patriark në shkurt 2009, Kirili shërbeu si arqipeshkv dhe më vonë Metropolit i Smolenskut dhe Kalinigradit, si edhe kryetar i departamentit të kishës ortodoske për lidhjet e kishës me jashtë.

Në këtë post Kirili shkaktoi edhe polemikat e para, pasi mori nofkën “Metropoliti i duhanit” dhe u akuzua nga mediat se kishte fituar miliona duke shfrytëzuar të drejtën që ju dha kishës për të importuar cigare pa taksa në vitet ‘90, asgjë e provuar deri më sot.

Kirili u përball ashpër me krahun konservator të Kishës ortodokse ruse që e akuzuan se po afrohej me kishën katolike, megjithatë në 2016-n ai u bë patriarku i parë i kishës ruse që u takua me një papë, pikërisht Papën Françesku.

Në çështjet kulturore dhe sociale, kisha nën drejtimin e Kirilit ka bashkëpunuar shumë me shtetin rus të Vladimir Putin dhe Kirili ka mbështetur zgjerimin e fuqisë ruse në Krime dhe Ukrainën lindore.

Një nga komentet më të njohura të Kirili është ai për të drejtat e njeriut, të cilat i cilësoi herezi dhe në kundërshtim me Biblën, megjithëse nuk sqaroi se cilat të drejta të njeriut ai kundërshtonte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA