Tani është zyrtare, Vincenzo Montella nuk do të jetë më trajner i Sevilla. Vendimi është marrë sot, pas humbjes 2-1 në transfertën ndaj Levantes, që ishte në vijim të asaj finaleje për t’u harruar ndaj Barcelonës.

Trajneri italian mori drejtimin e andaluzianëve në muajin Dhjetor, rreth një muaj pasi ishte shkarkuar nga Milani, por nuk arriti të ketë jetëgjatësi as në Spanjë.

Montella koleksionoi një sërë rezultatesh negative, mes të cilave veçohen edhe disa humbje me rezultate shumë të thella. Ndër të paktat gjëra pozitive të eksperiencës andaluziane të Montellës, janë eliminimi i Manchester United nga çerekfinalet e Champions Leagues dhe i Atletico Madrid nga gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit.

Aktualisht Sevilla garon për një vend në Europa League, por humbja e mbrëmshme përballë Levantes së Armando Sadikut, ka komplikuar seriozisht këtë objektiv të klubit spanjoll.

Top Channel