Takim harmonik, por pa rezultate. Donald Trump këtë herë u tregua shumë më i çlirët me Angela Merkelin, të cilës nuk i kurseu puthjet e komplimentet.

Megjithatë, pas pritjes se përzemërt dhe takimit tre orësh mes presidentit amerikan e kancelares gjermane, nuk mund të flitet për progres konkret mbi çështjet e debatueshme ndërmjet dy vendeve. Gazeta gjermane “Badische Zeitung” shkruan se tek politikanët ekscentrikë, gjestet e përzemërta janë shpesh boshe.

“Marrëdhëniet gjermano-amerikane nuk janë aq të këqija sipas pesimistëve, por jo edhe aq të mira sa konfliktet të harrohen me një buzëqeshje”, thotë gazeta. Sidoqoftë atmosfera në Ëashington, këtë herë ishte shumë më e mirë.

9 muaj më parë mediat botërore e pasqyruan gjerësisht momentin e shpërfilljes së Trumpit ndaj shefes së ekzekutivit gjerman, të cilës ia refuzoi asokohe shtrëngimin tradicional të duarve.

Por këtë radhë kreu i Shtëpisë së Bardhë foli për një marrëdhënie të jashtëzakonshme me Gjermaninë, e uroi Merkelin për fitoren në zgjedhje e ia dha dy herë dorën në zyrën ovale.

Gruaja e fortë e Europës pohoi se bisedimet nuk ishin aspak të lehta dhe temat që përmbanin lëndë për prishjen e harmonisë transatlantike nuk qenë të pakta, duke nisur nga doganat ndëshkuese që Trump kërkon t’i vendosë çelikut dhe aluminit të importuar nga BE, vënia në pikëpyetje e marrëveshjes atomike me Iranin, mbrojtja e tregtisë së lirë, kërkesat amerikane që europianët të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në NATO, etj.

Pas takimit, Merkel nuk u shpreh në lidhje me tarifat e reja doganore që shqetësojnë europianët, por tha vetëm se presidenti do të vendosë për këtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA