Italia “mban frymën” mbrëmjen e sotme, pasi në Milano do të luhet derbi Inter-Juventus.

Ndonëse nuk bëhet fjalë për dy skuadra të të njëjtit qytet, për shkak të rivalitetit të hershëm dhe historik mes këtyre dy ekipeve, përballjet janë cilësuar si derbi i Italisë.

Mbrëmjen e sotme, të dy ekipet vijnë me objektiva të ndryshme, por që fitorja është thuajse detyrim si për zikaltrit, ashtu edhe për bardhezinjtë.

Interi luan për një vend në zonën Champions, që do të shpëtonte sezonin dhe çdo rezultat tjetër përveç fitores, do të komplikonte arritjen e këtij objektivi për skuadrën e Spallettit.

Nga ana tjetër, edhe Juventusi nuk është në një moment aspak të mirë, sepse pas eliminimit nga Championsi, regjistroi dy rezultate negative radhazi, barazimi në transfertë ndaj Crotones dhe humbja në shtëpi ndaj Napolit, duke bërë që beteja për titullin kampion të jetë tërësisht e hapur.

Në “San Siro” Allegri ka kërkuar që të tijtë të reagojnë dhe të rikthehen te fitorja, për të mos “hedhur në erë” një sezon mjaft të mirë të zhvilluar deri para pak ditësh, ndonëse e ka të qartë që nuk do të jetë aspak e lehtë.

Stadiumi do të jetë i tejmbushur, pasi klubi i Interit ka njoftuar që të enjten se janë shitur të gjitha biletat në dispozicion, ndërsa koreografia zikaltër pritet të jetë vërtetë spektakolare.

Sa i përket bilancit të përballjeve mes dy skuadrave, është pikërisht Juventusi që regjistron më shumë fitore, por në “San Siro”, dominon Interi, që në të shumtën e rasteve ka dalë triumfues.

Top Channel