Dalipi: Gëzoj mbështetjen e klubit, ndaj Lushnjës kthehemi te fitorja

28/04/2018 00:28

Dy humbjet radhazi në Superiore me Kukësin dhe Skënderbeun, por edhe dëmtimit i rëndë sulmuesit Kardozo ia kanë vështirësuar jo pak Partzanit arritjen e objektivit, që mbetet vendi i tretë.

Ndeshja e radhës është me Lushnjën në “Roza Haxhiu”, një sfidë e lehtë në letër, por jo për trajnerin Klevis Dalipi, që kërkon impenjim maksimal nga futbollistët e tij.

Si është atmosfera pas humbjes me Skënderbeun dhe zërave për afrimin e një trajneri kroat?
Kemi punuar edhe me lojtarët që ta mbajmë skuadrën të karikuar, të vëmendshme për një ndeshje shumë të rëndësishme, si ajo me Skënderbeun. Gjatë javës ka pasur tendenca të tilla mediatike, që nuk i shërbejnë aspak skuadrës sonë, por gëzoj mbështetjen maksimale të presidentit të klubit. Jam shumë komod, së bashku me lojtarët. Ka qenë një javë mjaft serioze, duke qenë se na pret një ndeshje mjaft e vështirë, si ajo e Lushnjës. Megjithëse ka dalë jashtë objektivit, mbijetesës, kemi respekt për Lushnjën. Ajo ka fituar edhe në transfertë, iu kujtoj atë që bëri në Kukës. Pres një ndeshje shumë të luftuar, të vështirë.

Çfarë do të thotë për ju kur një trajner ju vëzhgon në distancë për t’ju zënë vendin?
Më vjen keq, e morët përgjigjen nga presidenti. Ai mund të jetë në stadium për punët e veta. Deri në fund të sezonit kam besimin e presidentit, të lojtarëve. Punoj i qetë deri në fund të këtij edicioni.

A do të pranosh më të jesh trajner i dytë?
Tani ka filluar një kapitull i ri për mua dhe sigurisht që do të mendoj gjithmonë për më mirë. Duke qenë trajner i parë te Partizani, kjo më rrit më shumë. Pra, synoj që tashmë të vijoj gjithmonë karrierën si trajner i parë.

Si i komentoni deklaratat e Starovës në media, ku ka shprehur pakënaqësi për atë që keni bërë, kur në drejtim të Partizanit ishte ai?
Nuk besoj se një shkëndijë në një media mund të thyejë marrëdhënien tonë për të ardhmen. Ishim së bashku 24 orë dhe besoj që do të jemi gjithmonë miq. Jemi profesionistë mbi të gjitha, pavarësisht se mund të ketë ndonjë keqkuptim. Për mua Starova do të mbetet gjithmonë një nga njerëzit, me të cilin kam punuar më shumë.

A do të ishte fatal për ju një hap i mundshëm fals me Lushnjën?
Ne nuk futemi për të pritur se çfarë do të ndodhë. Ne do të futemi për të marrë maksimumin. Kemi vetëm mendime pozitive në kokë. E rëndësishme është që skuadra të pasqyrojë në lojë atë që bën në seancat stërvitore. Kundër Lushnjës do të jetë mjaft e vështirë.

Në dy ndeshjet e fundit vetëm keni pësuar, por nuk keni shënuar…
Gjatë stërvitjes, një javë para Skënderbeut, skuadra është shfaqur shumë mirë para porte. Kisha besimin që do të shënonim, por futbolli ky është. Besoj që është një periudhë kalimtare. Kam besim te vija e sulmit, thjesht duhen finalizuar rastet e krijuara.

Pse Partizani nuk ka një formacion të qëndrueshëm?
Kur nuk kishim ndryshime, kritikoheshim pse nuk kishte ndryshime. Tani thuhet pse ka ndryshime. E rëndësishme është që skuadra të marrë 3 pikët. Unë si trajner i skuadrës, së bashku me stafin, aktivizojmë lojtarët që shfaqen më mirë në seancat stërvitore. Na kanë penalizuar edhe pezullimet e lojtarëve për shkak të kartonëve.

A do të ketë ndryshime në formacion ndaj Lushnjës?
Dëmtimin e Lukasit do ta përmendja. Është një lojtar, që po rritej shumë. Na ka dhënë një fitore në Kamëz dhe një gol të parë në Laç. Më vjen keq që kam humbur një futbollist me shumë cilësi, por kam të tjerë. Kam Abdurrahimin, Çanin, Bardhin. Kam edhe Prognin, që në këtë ndeshje fatkeqësisht mungon. Kam Asanin, kam edhe mesfushorë, të cilët janë shumë të mirë, që e mbështesin skuadrën përpara. Kam edhe Ramadanin, të cilit nuk i është dhënë mundësia. Në transfertën e Lushnjës do të jetë pjesë e ekipit dhe nëse do të jetë e mundur do të marrë minutat e tij.

Nëse qëndron te Partizani, sa përqind të grupit do të mbaje?
Të gjithë lojtarëve që kam në dispozicion dua t’u marr maksimumin. Jam shumë i lumtur me ata që kam. Nuk besoj se do të ishte etike, nëse do të bëja një përllogaritje të tillë pa mbaruar akoma edicioni.

A është Batha pjesë e planeve të Partizanit për të ardhmen?
Është një lojtar me shumë karakter. Edhe pse është në fundin e kontratës, ai nuk neglizhon. Jep maksimumin deri në ditën e fundit të kontratës. Javët në vazhdim do të tregojnë më së miri karakterin e lojtarëve. Janë kërkesa dhe oferta, ato që dërgojnë në dakortësi për sezonin e ardhshëm.

Kur do të aktivizohet Fejzullahi?
Do të shikojmë në vazhdim, si do të jetë forma e tij fizike.

Top Channel