Bajerni “fëminor” mposht Frankfurtin! 19-vjeçari shqiptar zëvendëson Roben

28/04/2018 17:36

Me titullin kampion të siguruar ndeshja ndaj Eintrahtit ishte thjesht sa për statistikë dhe trajneri Heynckes i duhej të ruante lojtarët titullarë për sfidën e kthimit në Ligën e Kampionëve ndaj Realit të Madridit.

Trajneri i bavarezëve hodhi në fushë një skuadër “fëminore” përballë skuadrës së hedhur nga pasaardhësi i tij në krye të Bajernit, Niko Kovaç. Nuk ndodhte që prej vitit 1971 që Bajerni i Mynihut të zbriste në fushën e lojës me moshën mesatare 24 vjeç.

Megjithatë, skuadra fitoi bindshëm me rezultatin 4-1 ndaj Eintrahtit. Dorsch, Vagner, Rafinha dhe Sule ishin autorët e golave për vendasit, ndërsa Haller shënoi për miqtë në minutën e 78.

19-vjeçari Meritan Shabani, në këtë takim luajti si mesfushor i krahut të djathtë

Vlen të theksohet se si titullar e nisi ndeshjen edhe shqiptari Meritan Shabani, 19-vjeçari me pasaportë gjermane dhe kosovare, që ka zgjedhur të luajë me të rinjtë e Kosovës aktualisht. Ai u aktivizua deri në minutën e 56-të, kur në fushë i la vendin Alcantaras.

Të martën, Bajerni do të luajë ndaj Realit të Madridit në Spanjë, në misionin e vështirë për të përmbysur rezultatin 2-1 të ndeshjes së humbur në Gjermani.

Top Channel