Vatra e muzikës jazz për dy mbrëmje rresht, më 29 dhe 30 prill do të jetë Tirana. Për herë të parë muzikantë të ritmeve jazz nga të gjitha vendet e Ballkanit: Mali i Zi, Greqia, Kosova, Kroacia, Bullgaria e Serbia do të bashkohen në kryeqytetin shqiptar në “Balkan Jazz Showcase”.

“Balkan Jazz Shoëcase vjen në edicionin e tij të parë si nevojë për të pasur diçka që i kalon kufijtë e vendit tonë, sepse tashmë background i muzikantëve shqiptare po njësohet e po bëhet pjesë e të gjithë skenës europiane e mbarëbotërore. Është aktiviteti i parë i muzikës jazz në rang ballkanik në këto nivele”, thotë S Gent Rrushi, Drejtor Artistik i “Balkan Jazz Festival”.

“Shpesh neve në turne ndërkombëtarë me vëllezërit tanë të Ballkanit, muzikantë, takoheshim gjithmonë në vende të huaja dhe asnjëherë në pjesën tonë të Ballkanit. Kjo ishte një ide shumë e mirë për të startuar një mbledhje duke filluar nga Shqipëria. E veçanta për këtë edicion është që Shqipëria dhe Kosova janë në një projekt, pra tek projekti im është bashkuar edhe Gent Rrushi, edhe Emiljan Dhimo, por edhe Armend Xhaferri nga Kosova, që është jazz kitaristi më i mirë, jo vetëm i Kosovës, por edhe i gjithë ish-Jugosllavisë”, deklaron saksofonisti, Ermal Rodi.

Veç Ballkanit do të ketë të ftuar nga Izraeli e Italia, për të synuar jo vetëm pjesëmarrje, por edhe nivel të lartë artistik.

Top Channel