Mësohet emri i Princit të Britanisë, mbi 100 mijë baste u vunë për të

27/04/2018 12:26

“Mirësevjen Louis Arthur Charles!”. Pasi e mbajtën kërshërinë e botës të ndezur për 4 ditë, Duka dhe Dukesha e Kembrixhit zbuluan më në fund emrit e fëmijës së tyre të tretë.

Të apasionuarit pas Familjes Mbretërore, por edhe bastvënësit, po prisnin me padurim të mësonin sesi do të quhej trashëgimtari i pestë në radhë për fronin e Anglisë, që do të njihet si Madhëria e Tij, Princi Louis i Kembrixhit.

Reagimet ishin të forta. “Twitter”-i u mbyt me mesazhe të fokusuara te rrënjët franceze të emrit Louis, e disa e lidhnin edhe me divorcin e Britanisë nga Bashkimi Europian.

Shpjegimi zyrtar është se, ai është në fakt një homazh për ungjin e Princit Philip, Lordin Louis Mountbatten, i cili u vra nga një bombë e IRA-s në vitin 1979.

Më shumë se 100 mijë baste u vendosën në mbarë Mbretërinë e Bashkuar për emrin e Princit të vogël, dhe Albert e Arthur kryesonin listën e favoritëve.

Louis, ndërkohë, është një nga emrat e mesëm të Princit William dhe vëllait të Princit të ri, George.

Më parë, sipas rregullave të vjetra mbi fëmijën e parë mashkull, djemtë e familjeve mbretërore kishin përparësi për fronin në krahasim me vajzat, por ndryshimi radikal që iu bë rregullave të tilla marsin e vitit 2015 i rrëzoi të tilla diskriminime.

Top Channel