Ai do të quhet “Luani i Babilonisë” dhe me një kapacitet prej 135 mijë vendesh do të jetë stadiumi më i madh në botë, në një vend të masakruar nga lufta dhe konfliktet civile prej dekadash.
Projekti inovativ, që do të implementohet në Irak, lindi pas një basti dhe do të shërbejë për riafrimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve të këtij shteti me Mbretërinë e pasur të Arabisë Saudite.
Aktualisht, stadiumi më i madh në botë është “Rungrado May Day Stadium” në Penian të Koresë së Veriut, por “Luani i Babilonisë” do ta kalojë atë në përmasa dhe kapacitet.
Në shkurt të këtij viti, gjatë rivendosjes zyrtare të marrëdhënieve mes Irakut dhe Arabisë Saudite u zhvillua dhe një ndeshje futbolli në Basra, e para pas shumë vitesh e irakianëve në shtëpi.
Për ta bërë edhe më emocionues takimin, Mbreti Salman kishte premtuar krijimin e një impianti gjigant, në rast se Arabia do të humbiste. Ashtu si në ndeshjet më të mira mes miqve, kush humbet paguan fushën, edhe Mbreti Salman vendosi ta përjetësojë premtimin e tij.
Tashmë kanë nisur të pranohen projekte futiristike dhe mjaft të bukur, mes të cilëve do të përzgjidhet dhe ai për stadiumin e ri. Ndoshta në këtë mënyrë edhe FIFA do të bindet për të rehabilituar Irakun, duke e lejuar të luajë në garat zyrtare, pasi konsiderohet ende një vend i rrezikshëm.
Top Channel