Euroleague/ CSKA fiton derbin moskovit, Reali kalon Panathinaikosin

27/04/2018 23:56

CSKA e Moskës fitoi përplasjen e katërt të Serisë ndaj Khimkit me rezultatin e ngushtë 88–89 dhe arrin të kualifikohet në “Final Four” me rezultatin e përgjithshëm 3-1.

Derbi moskovit ofroi emocione të jashtëzakonshme, por edhe polemika për një vendim të gabuar të gjyqtarit 5 sekonda para rënies së sirenës, duke i ndërprerë Khimkit një aksion që do t’i jepte fitoren.

CSKA dominoi në dy periodat e para, madje në startin e të tretës u shkëput +16 pikë, por Khimki falë talentit Shved, që realizoi në mënyrë të pabesueshme 36 pikë në total, iu afrua përmbysjes së madhe. Fundi i takimit ishte vërtet një triller. Dy trepikësha të realizuar nga Monia dhe Shved, i dhanë avantazhin Khimkit 87-85.

Sergio Rodriguez realizon dy goditje të lira për CSKA-në dhe barazon sërish, por Khimki nuk heq dorë, me Anthny Gill që pëson faull, por shënon vetëm një nga dy goditjen e lira. 15 sekonda para fundit, Cory Higgins shpik një kosh të mrekullueshëm, me CSKA-në që shkon +1 pikë, 88–99.

Pikërisht në këtë moment ndodh diçka e çuditshme. Arbitri gabon, ndal lojën, duke ndërprerë aksionin e Khimkit, që do t’i siguronte fitoren. CSKA, më pas, organizohet mirë në mbrojtje në 5 sekondat e fundit, duke marrë një fitore shumë të vuajtur dhe mes polemikash për kualifikimin në “Final Four”.

Asnjë surprizë në takimit e katërt të serisë mes Realit të Madridit dhe Panathinaikosit. Skuadra spanjolle nuk e vuri në asnjë moment në diskutim suksesin, me tabelën elektronike që jepte në fund rezultatin 89-82 për madrilenët, ndërsa seria u mbyll me shifrat 3-1. Në gjysmëfinale të Euroleague-s së basketbollit, Reali i Madridit do të përplaset me CSKA-në

Top Channel