Tarifat e Trumpit, Berlini: Presim të hyjnë në fuqi më 1 maj

26/04/2018 14:22

Edhe pse u mendua se për Europën do të kishte lëshime, raportet në mediet gjermane tregojnë se Berlini pret që tarifat ndëshkuese doganore amerikane ndaj çelikut dhe aluminit të importuar nga vendet e BE-së të hyjnë në fuqi më 1 maj.

Burime nga qeveritarë gjermanë e bënë këtë pohim pak përpara nisjes së Kancelares Angela Merkel drejt Shteteve të Bashkuara. Përfaqësuesi i ekzekutivit gjerman, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, sqaroi se, për sa i takon Berlinit zyrtar, ai po përgatitet që tarifat e reja të vendosen me të hyrë muaji që vjen.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë i justifikoi tarifat e reja prej 25 për qind mbi çelikun e 10 për qind mbi aluminin, me pretendimin se importet e huaja po dëmtojnë sigurinë kombëtare të SHBA-ve, duke minuar prodhimin vendas të nevojshëm për gatishmëri ushtarake.

Por, pas reagimit të ashpër të aleatëve të Amerikës, Trump u detyrua të bëjë një hap prapa e të lejonte një përjashtim të përkohshëm nga kjo masë të partnerëve kryesorë, përfshirë Kanadanë dhe Bashkimin Europian.

Të premten, Merkel takohet me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, ku ishte këtë javë edhe kreu i Elizese, Emmanuel Macron. Të dyja vizitat e kanë nxitur shtypin vendas të flasë për atë që e quan “një ofensive sharmante europiane drejt Uashingtonit”.

Amerika është partneri më i rëndësishëm tregtar i BE-së. Gjatë vitit të kaluar, drejt saj janë eksportuar nga vendet anëtare të bllokut mallra që mbërrijnë vlerën 375 miliardë euro, që do të thotë dyfish më shumë nga sa eksportoi BE-ja në Kinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA