Baza kryesore e Koresë së Veriut për testet bërthamore është shembur pjesërisht, si pasojë e shpërthimeve të njëpasnjëshme, duke e bërë të pasigurtë për teste të tjera dhe duke shtuar tej mase rrezikun e rrjedhjes radioaktive.
Studimi i gjeologëve të Universitetit të Shkencës dhe Teknologjisë në Kinë hedh dyshime serioze mbi sinqeritetin e Koresë së Veriut se ndali testet bërthamore para takimit të udhëheqësit Kim Jong-un dhe presidentit koreano-jugor, Moon Jae-in.
Baza “Punggye-ri” gjendet në zonat malore në verilindje të Koresë së Veriut dhe aty janë bërë 6 testet bërthamore të regjimit që nga vitit 2006.
Studimi kinez thotë se, shembja e pjesshme e bazës e ka nxjerrë atë praktikisht jashtë përdorimi. Ai publikohet pak ditë pasi udhëheqësi Kim Jong-un tha se mbylli bazën dhe ndali testet para takimit me Korenë e Jugut.
Por, nëse baza është e papërdorshme, deklaratat e Koresë së Veriut për gjoja vullnetin e mirë para bisedimeve zhvlerësohen tej mase.
Shkencëtarët kinezë mblodhën të dhëna të shumta për studimin pas testit më të fortë bërthamor të Koresë së Veriut, 3 shtatorin e shkuar, që shkaktoi disa tërmete dhe shembjen vertikale të bazës.
Rezultatet e studimit kinez u mbështetën edhe nga ekspertë të tjerë ndërkombëtarë, që thanë se ajo që dyshohej prej kohësh, për shkak të rrëshqitjeve të dheut në bazë të monitoruara nga satelitët, tashmë u vërtetua.
Top Channel