Roma do të përjetojë ditë të nxehta në fillim të muajit maj. Kryeqyteti italian, pas ngjarjeve të rënda në Liverpul, do të blindohet për ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, mes verdhekuqve dhe “The Reds”.

Në Itali është rritur frika e përsëritjes së incidenteve dhe përplasjes mes tifozerive të të dyja skuadrave. Pritet që në Romë në ditët e ardhshme të mbërrijnë 5 000 tifozë anglezë, 800 nga të cilët janë huliganë. Mësohet se do të jenë të angazhuar 2000 agjentë policie për sigurinë, jo vetëm të ndeshjes, por edhe të një koncerti që do të mbahet Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Në planin që pritet të përpilohet nga Kuestura e Romës, parashikohet një vëzhgim i rreptë jo vetëm i zonës rreth “Olimpico”-s, por edhe i qendrës historike të Romës, ku pritet të grumbullohen tifozët si para ndeshjes, ashtu edhe pas saj. Po kështu, pritet që tifozët të përshkojnë rrugë të ndryshme për të shkuar në stadium.

Në të njëjtën kohë, do të ushtrohen kontrolle të imtësishme në aeroporte dhe stacionet hekurudhore etj.

Vlen të kujtohet se ditën e martë pati përplasje mes tifozëve të Liverpulit e Romës, ku mbeti i plagosur një shtetas irlandez 53-vjeçar, tifoz i Liverpulit, i cili tashmë ndodhet në komë farmakologjike pasi ka pësuar dëmtime të rënda në kokë.

Ndërkaq, UEFA bëri të ditur se do të marrë masa të forta ndëshkuese ndaj klubit të Romës që rrezikon të marrë një gjobë të majme ose të dënohet me ndalim të tifozëve të saj në ndeshjet në transfertë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA