“Presidentet”; Shfaqja e re në Teatrin Kombëtar Eksperimental

26/04/2018 15:30

Presidentet e Werner Schawab janë dy pensioniste me të ardhura minimale dhe një pastruese tualetesh me iluzione fetare.

Këto tre gra do të vijnë në skenën e TKE të interpretuara nga Ermira Gjata, Eni Jani dhe Adriana Tolka, si produksioni i fundit i këtij teatri për këtë sezon, nën regjinë e Sabine Mitterecker.

“Janë tre Zonja shumë të veçanta. Nuk ishte e lehtë për mua të punoja në një gjuhë të huaj, por përveç lodhjes çdo gjë e kam bërë me kënaqësi shumë të madhe”, shprehet Sabine Mitterecker, regjisore.

Erna, Grete dhe Marile janë të venitura dhe as nuk duan t’ia dinë që ne i mëshirojmë.

Triumfi i tyre qëndron vetëm tek të ekzistuarit.

“Këtu kuptuam tamam që gjuha e teatrit dhe e artit në përgjithësi është universale. Shpesh herë kuptoheshim edhe me sy”, shprehet Ermira Gjata.

“Nëse nuk bëhet një punë thelbëlsore me aktorin, unë nuk besoj se do të mund të depërtojmë diçka tek spektatori”, thotë Eni Jani.

“Hapat e mia për të relizuar rolin e Ernës kanë qenë si të një fëmije”, thotë Adriana Tolka.

Schwab te “Presidentet” e paraqet së prapthi etikën e krishterë të vuajtjes, sepse e konsideron atë diçka serioze. Ai shkon tek më banalja dhe më e imta. Me forcën dhe poezinë e teksteve të tij, ai ndryshoi teatrin, si asnjë autor gjermanishtfolës.

Ndërsa regjisorja thotë se është kujdesur që të gjitha botëkuptimet të marrin nga një goditje të vogël, jo vetëm katolikët dhe ortodoksët, por edhe maçot dhe myslimanët.

Top Channel