E bujshme! Manjati ofron 800 mln paund për blerjen e “Wembley”-t

26/04/2018 15:45

Federata e Futbollit (e Anglisë) ka marrë një superofertë “të çmendur”, realisht të çmendur nëse qëndrohet me këmbë në tokë, prej 800 milionë paund, për të shitur stadiumin mitik “Wembley”.

Ofertuesi është Shahid Khan, (Kujdes, jo kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan), pronar i ekipit të Fulhamit që militon në Championship, divizionin e dytë të kampionatit anglez, e njëkohësisht pronar i ekipit të NFL-së amerikane, Jacksonville Jaguars.

Nga sa është zbuluar deri më tani, oferta do të ndahet në dy aspekte: 500 milionë paund do të paguhen për stadiumin, ndërsa 300 milionë paund do të ofrohen për Federatën e Futbollit që të mund të mbajë ende obligacionet dhe bizneset mikpritëse në stadiumin legjendar.

“Do të përpiqemi të kujdesemi në mënyrën më të mirë të mundshme për një vend kaq ikonë”, tha Khan në një deklaratë. “Wembley do të rikthehej si pronë private, ndërsa Federata e Futbollit do të mund të fokusohej në misionin bazë të saj të zhvillimit të futbollistëve. Besoj se shumë prej jush, në mos shumica, jeni mbështetës të Kombëtares së Anglisë, kështu që shpresoj ta konsideroni këtë mundësi potenciale për t’u bërë realitet”.

Shitja e mitikut “Wembley” do t’i lejonte Federatës së Futbollit të investonte fuqishëm në futbollin e moshave.

Çështja gjithsesi është diskutuar në një takim të bordit të Federatës së Futbollit gjatë kësaj të enjteje. Nuk dihet nëse do të mbetet ende në kuadrin e një oferte, apo do të bëhet realitet. Por, stadiumi prej 90 mijë vendesh, më i madhi në Mbretërinë e Bashkuar, ka kushtuar plot 757 milionë paund për t’u ndërtuar dhe është hapur në vitin 2007. Në janar, Federata njoftoi se do të përfundonte pagesat për tokën ku është ngritur stadiumin në fund të vitit 2024.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA