Apeli kundër dënimit 10-vjeçar të Skënderbeut, 5 lojtarë thirren dëshmitarë në Gjenevë

26/04/2018 11:01
Foto ilustruese

Nga ora 10 e paradites së sotme, në Gjenevë po zhvillohet seanca dëgjimore në Komisionin e Apelit të UEFA-s, ku skuadra e Skënderbeut do të kërkojë heqjen e dënimit që ka dhënë Komisioni i Etikës pak javë më parë, prej 10 vitesh pezullim nga aktivitetet europiane dhe një milion euro gjobë.

Përveç avokatëve zviceranë që përfaqësojnë skuadrën korçare, në Gjenevë për të deponuar janë edhe 5 futbollistë dhe ish-futbollistë të skuadrës së Skënderbeut.

Sabien Lilaj është lojtari i kërkuar nga vet Komisioni i Apelit të UEFA-s, ndërkohë që emrit të tij i janë bashkuar për këtë seancë të sotme mesfushori Nimaga, ish-kapitenin Bledi Shkëmbi, sot trajner i Lirisë së Prizrenit, ish-lojtarët Bernard Berisha, sot lojtar i Groznit në kampionatin rus, si dhe Liridon Latifi, sot lojtar i Akademisë Pushkash në Hungari.

Avokati zviceran që përfaqëson Skënderbeun, Jean-Cédric Michel ka kërkuar që përpara UEFA-s të ketë sa më shumë lojtarë që të dëshmojnë për dyshimet që kanë inspektorët e UEFA-s për ndeshjet e përfshira në raportet e tyre.

Sot do të jetë vetëm seanca dëgjimore, ndërkohë që vendimi mund të zbardhet në ditët në vazhdim.

Pretendimet e avokatëve të korçarëve janë për të hequr tërësisht dënimin, jo thjesht ulje të tij, e për këtë arsye ata kanë bërë të ditur se do të kalojnë deri në CAS, nëse kjo kërkesë e tyre nuk pranohet në Apelin e UEFA-s, e pas CAS-it kanë kërkuar që të shkojnë deri në Gjykatën Federale të Zvicrës për të përmbushur kërkesat e tyre dhe të drejtuesve të skuadrës së Skënderbeut për këtë çështje.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA