“Play off”-et e NBA, Golden State e Philadephia kalojnë në gjysmëfinale

25/04/2018 10:45

Golden State dhe Philadelphia janë skuadrat që mundën të kualifikohen për në raundin tjetër të fazës së “play-off”-eve në NBA.

“Warriors”-at fituan përballjen e pestë ndaj San Antonios, 99-91, duke e mbyllur serinë me teksanët me rezultatin 4-1.

Kampionët në fuqi të NBA-së e dominuan sfidën me San Antonion, që bëri njëfarë përpjekjeje për t’iu kundërpërgjigjur kalifornianëve vetëm në periodën e fundit. Kevin Durant me 25 pikë, Klay Thompson me 24 dhe Draymond Green, me 17 pikë e 19 topa në tabelë, ishin lojtarët më të mirë për Golden State.

Për San Antonion shkëlqeu LaMarcus Aldridge, me 30 pikë e 12 topa në tabelë, ndërkohë që Mills shënoi 18 pikë, Anderson e Ginobili 10, statistika këto që gjithsesi nuk i ndihmuan “Spurs”-at të evitojnë eliminimin.

Philadelphia u kualifikua për në gjysmëfinalet e Konferencës së Lindjes, pasi mundi Miamin në përballjen e pestë me rezultatin 104-91, duke e mbyllur serinë me rezultatin 4-1. Në dy periodat e para u pa një sfidë e rivalizuar, me dy ekipet që shkuan në pushimin e saj në barazim 46-46.

Por, Philadelphia shpërtheu në periodën e tretë duke krijuar një avantazh prej 14 pikësh kundrejt Miamit, avantazh të cilin “76ers” e administruan me mjeshtëri deri në fundin e takimit. Për Philadelphian, shënuesi më i mirë ishte J.J. Redick me 27 pikë, ndërkohë që Embiid e mbylli sfidën me 19 pikë e 12 topa në tabelë.

Bostoni merr avantazhin kundrejt Milwaukee Bucks. Skuadra nga Massachusets fitoi sfidën e pestë me “Bucks”-at 92-87, për ta çuar serinë me ta në 3-2, në favorin e tij. Bostoni ishte gjatë të gjithë kohës në avantazh kundrejt Milwaukeet, pavarësisht përpjekjeve të “Bucks”-ave në periodën e fundit për të përmbysyr rezultatin.

Al Horford drejtoi Bostonin drejt suksesit me 22 pikë e 14 topa në tabelë, ndërkohë që u dalluan edhe Rozier me 16 pikë, Brown me 14 dhe Morris me 10 pikë.

Top Channel