Mauro Icardi është në vitin e tij të dytë si kapiteni Interit dhe ndihet gjithnjë edhe më i sigurtë që ai është linder i kësaj skuadre dhe nuk e sheh vetën larg Interit.

“Prej kohësh Inter është skuadra ime. Ky është motivi që e ndjej nevojën se duhet të vazhdoj këtu edhe për pak kohë. Jam i përqendruar te objektivat e skuadrës time, ndërsa të ardhmen askush nuk mund ta parashikojë. E tashmja ime është këtu, ku kam shtëpinë, miqtë, një jetë”, deklaroi në një intervistë për të përditshmen argjentinase Ole, kapiteni i Intetit, Mauro Icardi.

Pak ditë më parë argjentinasi festoi realizimin e 100 golave në Serie A me Interin: “Jam i lumtur që jam bërë pjesë e historisë së Interit. Një krenari për mua që nuk e kisha imagjinuar. Nuk është e lehtë të arrish këto shifra në Itali, por më duhet të falenderoj të gjithë shokët e skuadrës që ma bënë të mundur këtë”, tha Icardi, që u shpreh se është i sigurt se Inter do të arrijë qëllimin kryesor të këtij sezoni, kualifikimin për në Champions League.

Në fund Icardi foli edhe për ekipin kombëtar të Argjentinës dhe finalet e kampionatit botëror: “Jam 25 vjeç dhe jam kapiteni i Interit. Ëndrra ime është të shkoj në Botëror dhe e kam këtë bindje. Nëse jo këtë herë do të ndodhë në të ardhmen”, tha Icardi.

Top Channel