2-vjeçari Alfie Evans ka dy ditë pa pajisjet që e mbanin me oksigjen, të cilat u hoqën me urdhër gjykate, por ai vazhdon lufton me vdekjen gjatë gjithë kohës, kundër parashikimeve të doktorëve. Megjithatë, gjykata britanike nuk lejon të shtrohet në Romë.
Babai postoi një video të fëmijës sot duke thënë se kishte mbijetuar për herë të tretë: “Na trembi. E kapi një krizë tjetër. Iu zbeh fytyra për një çast, buzët iu nxinë. Por luftëtari im u rikthye sërish. Vazhdon të jetë mes nesh”
Ashtu si 2-vjeçari që po lufton me mushkëritë e veta, ndryshe nga ç’pritej, as prindërit nuk kanë ndërmend të dorëzohen. Babai ka paditur tre doktorë të spitalit “Alder Hey” duke i akuzuar për vrasjen e të birit. Avokatët e prindërve të dëshpëruar kanë nisur përpjekje në Gjykatën e Apelit për të zhbërë vendimin e Gjykatës së Lartë që nuk lejon dërgimin e fëmijës.
Spitali i Papës për Fëmijë në Romë u përgatit ta mirëpriste e ta mbante në jetë. Prindërit i dhanë nënshtetësi italiane dhe një helikopter-ambulancë mbërriti pranë spitalit, me stafin gati për ta marrë. Por gjykatësit e mbledhur në një seancë urgjente vendosën që fëmija ose duhej dërguar të vdiste në shtëpi, ose të mbahej në institucione të ngjashme me azilin, pasi nuk është njerëzore që ta vazhdojë jetën në atë gjendje.
Mbështetësit e prindërve kanë hapur një peticion në internet për t’i kërkuar mbretëreshës së Anglisë të ndërhyjë për të shpëtuar Alfie Evans, dhe brenda dy ditësh kanë mbledhur 110,000 firma.
Vogëlushi ka që në 9 Maj të vitit 2016 që është në gjendje gjysmë-vegjetative. Neurologët kanë përcaktuar se fëmija vuan nga Sindroma e Shterimit të ADN-s Mitokondriale.
Kjo do të thotë që trupi i fëmijës nuk arrin të prodhojë energji për muskujt, veshkat dhe trurin. Kjo sindromë është pothuajse gjithnjë fatale me fëmijët e vegjël, edhe pse disa arrijnë të shtyjnë deri në adoleshencë. Ende nuk ekziston një kurë, por ka mjekime që ulin simptomat.
Top Channel