Sulmi në Toronto, 10 akuza për vrasje ndaj të dyshuarit. Identifikohet një prej viktimave

24/04/2018 16:55

Ndaj Alek Minassian, 25-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e 10 personave dhe plagosjen e 15 të tjerëve, kur drejtoi mbi këmbësorët një furgon të marrë me qira në rrugën “Yonge” në veri të Torontos, janë ngritur 10 akuza për vrasje të shkallës së parë dhe 13 akuza për vrasje të mbetur në tentativë, gjatë një seance tepër të shkurtër gjyqësore të zhvilluar këtë të martë.

Minassian, nga Richmond Hill i Ontarios, mbërriti në gjykatë i veshur me një kostum të bardhë të burgosuri dhe me pranga në duart e mbajtura pas shpine. I akuzuari, pasi u njoh me vendimin, u dërgua sërish në paraburgim dhe pritet të dalë sërish në një seancë gjyqësore, këtë herë përmes një videokonference, më 10 maj.

Gjykatësi tha se i akuzuari nuk ka pasur njohje me viktimat. Shefi policor i Torontos, Mark Saunders u tha reporterëve gjatë pasdites së të hënës se, i dyshuari nuk ishte i njohur për autoritetet dhe ende nuk e kishin konfirmuar motivin e këtij akti.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau u shpreh ditën e sotme nga Ottawa, se kishte folur me kryebashkiakun të hënën dhe se nuk ka asnjë të dhënë që të sugjerojë se sulmi ishte çështje e sigurisë kombëtare.

“Aktualisht nuk kemi arsye të dyshojmë se kemi të bëjmë me ndonjë element nga ky sulm që përbën kërcënim për sigurinë kombëtare, por sigurisht hetimet vazhdojnë”, tha Trudeau.

“Ngjarja që ndodhi dje (e hënë) në Toronto ishte një sulm i pakuptimtë dhe një tragjedi e tmerrshme. Në emër të të gjithë kanadezëve u ofroj ngushëllimet të dashurve të të gjithë atyre që mbetën të vrarë, e shpresojmë në një rikuperim sa më të shpejtë të të plagosurve. Do t’u qëndrojmë në krah familjeve dhe miqve të viktimave”, tha kryeministri kanadez.

Policia njoftoi se kishte marrë një telefonatë përpara orës 13:30 të së hënës, se një shofer furgoni po ecte si i çmendur dhe po godiste kalimtarë të shumtë në rrugën “Yonge”, në jug të “Finch Avenue”.

Ndërkohë, i pari mes 10 viktimave është identifikuar këtë të martë si Anne Marie D’Amico.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA