Trajneri i ardhshëm i Paris SG do të jetë Thomas Tuchel. Për këtë është më shumë se e bindur media “Canal Plus”, sipas së cilës, trajneri e ka hedhur firmën në kontratën me klubin parizien për dy sezonet e ardhshme, me opsion për ta shtyrë edhe për një të tretë.

Për ta vulosur këtë mbetet vetëm zyrtarizimi, që sipas medies franceze pritet të bëhet pas finales së Kupës së Francës, më 8 maj. Te parizienët, Tuchel do të ketë fuqi të plota mbi merkaton dhe për ndërtimin e skuadrës.

Numërimi mbrapsht ka nisur e duket se epoka Emery po gjen vend në arkivë shumë shpejt. Parisi përgatitet të nisë një kapitull të ri me trajnerin gjerman në pankinë, për të cilin do të duhet të presim edhe disa ditë.

Objektivi, si gjithmonë mbetet Champions League, e pas dështimit të Emery, duket se do ta provojë ish-trajneri i Borussia Dortmundit.

Tuchel është një trajner tejet i fokusuar te detajet, mbi të gjitha i fiksuar pas dietave të futbollistëve. Vegjetarian dhe aspak elastik, në kohën kur drejtonte Dortmundin ai “zhduku” makaronat, picat, pijet e gazuara, ëmbëlsirat dhe çokollatat.

Top Channel