Kinë, 18 të vdekur nga zjarrvënia e qëllimshme. Një i arrestuar

24/04/2018 13:13
Foto ilustruese

Një zjarr i rënë në një lokal nate, në qytetin kinez Yingde, i kushtoi jetën 18 personave dhe plagosi rreth 10 të tjerë. Zjarri shpërtheu brenda ndërtesës 3-katëshe në orët e para të mëngjesit të ditës së martë.

Policia kineze tha se ka arrestuar një 32-vjeçar, që dyshohet për zjarrvënie me dashje.

Sipas autoriteteve, i dyshuari bllokoi derën e vetme të lokalit me motoçikletën e tij, para se të ndizte zjarrin.

Tragjedia u filmua nga dëshmitarë okularë, të cilët më pas postuan në internet pamjet.

Policia tha se zjarri u fik shpejt nga zjarrfikësit, që mbërritën shumë shpejt në vendngjarje, por fatkeqësisht numri i viktimave është i lartë.

I dyshuari u arrestua pak orë pas tragjedisë, pasi disa persona informuan policinë për veprimet e tij.

Zjarrvëniet me dashje dhe me shumë viktima nuk janë të reja në Kinë. Vjet, 22 persona u vranë si pasojë e një zjarrvënieje me dashje në një ndërtesë rezidenciale, ndërsa në vitin 2016, 17 të tjerë u vranë në bordin e një autobusi, nga një zjarr i ndezur po me dashje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA