Eksperimenti i parë me mbështetje nga një qeveri në Europë, i të dhënit të parave “cash” ndaj qytetarëve, pritet të mbyllet vitin e ardhshëm pasi Finlanda vendosi të mos e vijojë më tej testimin e të ardhurave bazike aq shumë të trumpetuara, e të hulumtojë në vend të saj skema alternative të mirëqenies.
Që prej javarit të vitit 2017, një grupi rastësor prej 2.000 të papunësh të grupmoshës 25-58 vjeç u janë paguar 560 euro çdo muaj, pa kërkesa të mëtejshme mbi faktin nëse po kërkojnë punë apo kanë pranuar të punësohen nëse iu është ofruar një mundësi.
Çdo përfituesi të kësaj skeme testuese u jepej sërish ndihma, edhe nëse do të kishin gjetur një punë gjatë kësaj periudhe.
Qeveria tashmë ka refuzuar kërkesën për financim shtesë nga “KELA”, agjencia finlandeze e sigurisë sociale, për të zgjeruar projektin pilot me një grup të punësuarish këtë vit, e tha se pagesat ndaj përfituesve të deritanishëm do t’iu ndalen janarin e ardhshëm.
Qeveria ka prezantuar gjithashtu një projektligj që kushtëzon personat e papunë të trajnohen apo të kenë punuar të paktën 18 orë në 3 muaj. “Qeveria po bën ndryshime për t’u larguar nga sistemi i të ardhurave bazile”, tha Miska Simanainen, nga “KELA”, për gazetën suedeze “Svenska Dagbladet”.
Skema, e cila fillimisht synonte të provonte nëse një e ardhur e garantuar do t’i nxiste njerëzit të punësoheshin kundrejt pagës për të zbutur boshllëqet në sistemin e mirëqenies, nuk ishte një skemë e të ardhurave bazike universale, pasi pagesat u bëheshin një grupi të kufizuar dhe gjithsesi nuk ishin të mjaftueshme për jetesën.
Por, përmes saj shpresohej të hidhej dritë mbi çështjet politike, nëse një pagesë e pakushtëzuar mund të reduktonte ankthin mes përfituesve dhe mund t’i lejonte qeverisë të thjeshtonte sistemin kompleks të sigurisë sociale, që po lufton në përballimin e një tregu punësimi në lëvizshmëri të shpejtë dhe të pasigurtë.
Olli Kangas, një ekspert i përfshirë në këtë testim, tha për rrjetin televiziv finlandez “YLE” se, “dy vite janë shumë pak për të mundur të hartohen konkluzione të përgjithshme për një eksperiment kaq të rëndësishëm. Ne duhej të kishim më shumë kohë dhe më shumë fonde për të arritur rezultate të besueshme”.
Ideja e të ardhurave bazike universale, tërheqëse si për të majtët që shpresojnë të ulin varfërinë dhe pabarazinë, ashtu dhe për të djathtët, që e shohin atë si një rrugë të mundshme për një sistem më pak burokratik, tërhoqi vëmendjen kohët e fundit mes parashikimeve se automatizimi do të kërcënonte rreth një të tretën e vendeve aktuale të punës.
Ministri i Financave të Finlandës, Petteri Orpo i tha “Hufvudstadsbladet”-it se, ai po shqyrtonte mundësinë e testimit të skemave të reja alternative të mirëqenies, përfshi këtu sistemin universal të kreditimit, siç është ai që është prezantuar në Britani, kur të përfundojë projekti pilot aktual i të ardhurave bazike.
Top Channel