Serbia nuk do ta njohë Pavarësinë e Kosovës, do të japë mbështetje të plotë për pjesëmarrjen e serbëve në ‘institucionet e përkohshme në Prishtinë’, do të kundërshtojë formimin e ushtrisë së Kosovës dhe do të vazhdojë bashkëpunimin me NATO-n, si shtet neutral ushtarak.
Të gjitha këto janë përcaktuar në draftin e strategjisë së Sigurisë Kombëtare dhe draftin e strategjisë së Mbrojtjes, të publikuar nga Ministria serbe e Mbrojtjes, debati publik mbi të cilët ka nisur të premten, e vazhdon deri më 15 maj.
Teksti i plotë, sipas gazetës së Beogradit “Blic”, do të prezantohet në tryeza të rrumbullakëta dhe diskutime në nivel ekspertësh, që pritet të mbahen në kryeqytetin e vendit, në Novi Sad e Nish.
Shtypi kosovar e konsideron interesant faktin që të dyja strategjitë mund të miratohen pothuajse në të njëjtën kohë, kur presidenti Aleksandar Vuçiç mendohet se do të ofrojë zgjidhjen e tij për Kosovën.
Siç është paralajmëruar disa herë, kjo mund të ndodhë në fund të prillit.
Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të mos bëhen pjesë e ushtrisë së Kosovës, duke theksuar se, “në bazë të ligjit penal serb, pjesëmarrja në formacionet e armatosura të paligjshme është e dënueshme me deri në 10 vite burg”.
“Krijimi i ushtrisë së Kosovës është i paligjshëm, – vazhdoi ai, – e bie ndesh me Rezolutën 1244 dhe Marrëveshjen e Kumanovës”.
Top Channel