Kategoria Superiore, java e 30 mbyllet me superndeshjen Partizani-Skënderbeu

23/04/2018 11:49

Java e 30 e Kategorisë Superiore do të mbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme, me superndeshjen mes Partizanit dhe Skëndërbeut.

Pavarësisht shkëputjes së korçarëve dhe me çështjen e titullit të mbyllur në dukje, përballja me Partizanin ka dhuruar gjithmonë gjithçka: nga emocionet, golat, episodet dhe deri tek kontestimet e pashmangshme.

Korçarët nxitojnë të mbyllin llogaritë edhe matematikisht për titullin, ndërkohë që “Të Kuqtë” e Dalipit kërkojnë të harrojnë sa më shpejt atë që ndodhi në Kukës, fundjavën e shkuar. Objektivi i Partizanit është i qartë për këtë kampionat, zona europiane, për të cilën për momentin ka mbetur vetëm vendi i tretë në lojë, pasi Kukësi në vendin e dytë është shkëputur ndjeshëm.

Kjo do të jetë përballja e katërt dhe e fundit për sezonin 2017/2018 mes Partizanit dhe Skëndërbeut. Skuadra kryeqytetase ende nuk ka arritur t’i shënojë asnjë gol korçarëve në tre ndeshjet e mëparshme, të cilat kanë përfunduar dy me fitoren e Skëndërbeut dhe një në barazim pa gola.

Për këtë arsye, Klevis Dalipi do të përpiqet të luajë të gjitha kartat me ndeshjen e sotme, nëse do që të jenë ende në garë për zonën europiane.

Nga ana tjetër, trajneri i skuadrës korçare, Ilir Daja është përpjekur të improvizojë me formacionin e sotëm për shkak të mungesave të tre lojtarëve kryesorë si Shehi, Soue dhe Xhejms. Reparti i avancuar i Skëndërbeut do të udhëhiqet me shumë mundësi nga Emiliano Vila, i mbështetur nga Muzaka dhe Gavazaj.

Ndeshja mes Partizanit dhe Skëndërbeut do të luhet në “Selman Stërmasi”, në orën 19:00 dhe do të trasmetohet drejtpërdrejtë në paketën Supersport të platformës DigitAlb.

Top Channel